7 Maj, 2023 - 8:58 am
Poezi nga Agim Vinca
(Aktorit Istref Begolli)
Gjashtë muaj para se të ikte nga kjo botë
pushoi së foluri. Heshti përgjithmonë
Ai që tërë jetën kishte këlthitur
herë si Makbeth, herë si Hamlet
mbi dërrasat që quhen jetë.
Ra në komë të thellë e s’foli dot.
E përse të fliste? Me kë të fliste? Ç’të thoshte, vallë?
Qe një heshtje që fliste më shumë se çdo llomotitje.
Qe monologu më i gjatë i jetës së tij. Jo në skenë,
po në shtrat.
Gjashtë muaj heshtje. Vetmi. Gjashtë muaj varg…
Pastaj, ashtu i madh e shpërfillës si një mag
U ngjit pa bëzajtur lart në Dragodan
Si të luante të mbramin rol shenjtori a djalli
Për të na dhënë edhe një kumt
Para se të binte sipari.
Prishtinë, 31 janar 2003