17 Tetor, 2024 - 6:30 pm
Poezi nga Ndue Ukaj
Dikur m’ka ndodhë të shkruaja për gjëra që s’i kuptoja plotësisht.
Për fenomene fizike,
por ato të shpirtit
të zhveshin prej të gjitha mësimeve,
shkollave, doktrinave, statistikave
dhe ekuacioneve matematikore.
As sot s’jam i sigurt nëse kam kuptuar shumë ekuacione,
por e di që s’mjaftojnë krejt shkollat e botës
për t’i shpjeguar fenomene shpirti.
Dikur mbaja në shpinë ëndrra dhe thosha:
bota është e vogël dhe unë i kam hapat e mëdhenj.
Tani shoh vitet përreth meje,
mbaj në shpinë botën e madhe
dhe e mat me hapat e mi të vegjël.
Sot ditët janë të shkurtra e netët të gjata
dhe s’preferoj të shkruaj për gjëra të mëdha,
për shembull: ëndrra për pushtimin e galaktikave.
Të kam thënë: ne s’e dimë asnjëherë
çka humbim dhe çka fitojmë,
ndonëse përditë na pëlqen
t’i ngrehim lart flamujt e triumfit,
është thënë,
perënditë e humbjes s’njohin disfatë./ KultPlus.com