29 Nëntor, 2024 - 6:28 pm
Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.
Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.
Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.
Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.
Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.
Larmia e vargjeve të tij është e pafundme, por kemi përzgjedhur sot 5 poezi të Dritëro Agollit, që i kushtohen gruas.
1. GRATË PËR MUA
Kam dashur çdo grua pa masë,
Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,
Madje dhe lart në tarracë,
Ku ndejnë rroba e fshijnë.
Në zënka s’kam sharë asnjë grua,
S’kam shkruar keq në asnjë fletë.
Do vdes.
Do flasin gratë për mua:
“Ky ishte poet i vërtetë”.
2. MJELMA
Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,
Kur dihet se mjelma nuk vritet.
E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,
Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!
Po mbase e vrau i krekosur, që ti
Si mjelma të dridhesh nga frika.
E dashur, largohu me vrap nga ai
Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…
3. I PËRNDJEKURI I DASHURISË
Unë jam i burgosuri yt,
Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,
Po çudi, as qelia s’më mbyt
Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.
Kur ti prangat m’i hodhe në mish,
Unë i putha duart e tua,
Është rast i pashëmbullt ta dish,
Që xhelatin ta puth e ta dua!
I përndjekuri yt erotik,
I përndjekur të mbetet gjithmonë!
Erotik i mirë a i lig,
Hidhmi duart në fyt, torturomë!
Ky burgim sa do zgjasë s’e di:
I përjetshëm do kisha dëshirë,
Veç ti eja më shpesh në qeli,
Të përndjekurit tënd i vjen mirë…
4. NGAHERË NË PRITJE
Sërish të pres të vish:
Na qënka jeta pritje
Në shpirt, në gjak, në mish,
Në gaz e në mërzitje.
Dhe unë e them ta dish:
Sa dukesh ti në derë
Pranvera hyn në shpirt
Dhe shpirti në pranverë.
5. DASHURI E VËSHTIRË
Ti në kanape tani dremit
Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,
Abazhuri mbi qerpikë ndrit
Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.
Para teje ndal mendimi im:
Jemi dashuruar edhe sharë
Jemi ndarë shpesh në udhëtim,
Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.
Dhoma hesht e rruga larg gjëmon
Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë
Unë, ndonëse pi dhe mogadon,
Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.
Të kam pasur ëndërr çast e orë,
Ëndërr të trishtuar dhe të mirë
Po të jem vërtetë një Pitagorë
Ti je teorema më e vështirë…/KultPlus.com