S’ke me dalë nga parajsa

14 Janar, 2022 - 2:27 pm

Shkruan: Sali Bashota

S’KE ME DALË NGA PARAJSA

(Mikut e poetit Basri Çapriqi)

Nuk ke me ikë kurrë më nga pika e ujit
As kur çmenden valët e detit
Asnjë pulëbardhë nuk do ta bartë mbi shpinë
Ëndrrën trishtuese të natës
Matanë vetmisë e këndej pikëllimit

Nuk ke me ikë kurrë më nga gjuha e zjarrit
Asnjë bimë e egër 
Nuk do të thahet nga kripa e lotëve
Në asnjë stinë të vitit
As kur piqen e bien në tokë ullinjtë 
Në ullishtat e Krythës së Ulqinit
As kur shtegtarët presin me dritë ndezur
Buzë gjirit të qetësisë
Se vetëm gjumi ty të ka zënë

Duke prekur dhimbjen mbi barin e fjetur
Nuk ke me ikë kurrë më nga vetmia e stuhisë
Shpirti yt pushon i qetë në tokën e Prishtinës
Në krahun e djathtë të Ali Podrimjes 
Të dy u lexoni poezi të amshuarve
Poetët nuk vdesin më pate thënë
Kur u takuam për herë të parë
Në amfiteatrin e Fakultetit Filozofik
Atëbotë secila ëndërr e kishte ankthin e vet

Nuk ke me ikë kurrë më në fund të udhëtimit
Asnjë ditë nuk do t’i ngjajë durimit tënd
Në fillim të vjeshtës kur i shkundnim ullinjtë
Që na piknin çdo ditë mbi kokë 
Për Zotin me vete e merrnim çastin e parë të lumturisë
Këndej dashurisë e matanë qirinjve të fikur
Ti njëmend thoshe të qërohen trangujt
Se na plasi inati për lëvozhgën e fatit të tyre
Të mos na zihet fryma nga liria
As të dielen kur lëshove ofshamën tënde të fundit

Nuk ke me ikë kurrë më nga zemërimi i shiut
Teksa zbrazej nga dhoma frymë e thatë
Dhe të fluturonin të gjitha dallëndyshet
Si nëpër det si nëpër tokë si nëpër qiell
Ti po nisesh këmbë në mbrëmjen poetike
Në Kullën e Balshajve
Pa trembur asnjë zog të bardhë
Në jastëkun me pupla të zeza 
Pa trembur asnjë flutur në dhomë
Një ditë para ditëlindjes tënde
Prapë pëshpërite se poetët nuk vdesin 
Për herë të fundit në kafenenë Symphony
Sikur ta dinim se nuk ke me dalë nga parajsa

(14 janar 2018)

(Shënim: Poezia ribotohet me rastin e përkujtimit të Poetit, në katërvjetorin e ikjes në amshim).

Të ngjajshme