21 Shtator, 2022 - 10:00 am
Lulzim Tafa
Zotëri Gjykatës
Betohem në kry t’vargut
se do ta flas të vërtetën,
të vërtetën dhe vetëm të vërtetën
Sllavishen e njoh,
ka jetu n’Magure
Ka pas një Yugo të kuqe
Me targa PR
Në dakikun e ligë
Të ditës kritike
Ka ardhë me Yugon e kuqe
Bashkë me Saven.
Sava ka pas sy të kuq e
mjekër të zezë.
A ishte edhe dikush?
Ishin edhe do ushtarë të zinj
Dhe?
Zotëri Gjykatës
Ma dogjën shtëpinë
(Pardon, para se të ma digjnin zemrën,
ma dogjën shtëpinë)
Shtëpia kishte një bibliotekë
E biblioteka plot libra
Ju thatë se ju dogjën zemrën?
Në fakt zemrën nuk ma dogjën
Por kur m’i dogjën librat
Për hir të së vërtetës
Zemra u dogj vet
Zotëri Gjykatës
Unë po i fali
Fali edhe ti
Se edhe këta e kanë një Zot
E ndoshta i vret. / KultPlus.com