3 Korrik, 2018 - 9:34 pm
Poezi nga Majlinda Bashllari .
Sonte nuk vjen askush, tryeza rri shtruar,
një pirg me rroba të palara dergjet më tutje… ka ditë.
Rrëmuja ime, kontribut modest
në kaosin e përbotshëm…mendoj
dhe tinëzisht ia kthej shpinën.
Siddharthën* vështroj tani,
gozhduar në fletë standarde, brenda
një ndërtese standarde këtu në North America…
shkrep si e zeza mbi të bardhë,
pelin mbi plagët në kokën time…
flokë sensitivë, lëkurë nervoze,
ka muaj që ju pres të shëroheni,
gërricur, gjakosur, përtharë,
më ktheni në dashnore të vetvetes,
më mbani lidhur më të
si në zinxhir martesor,
falë saj, pak e kam vrarë mendjen
pse në mes të gjashtë miliardë të gjallëve,
Sizifi është çfarë dua,
Mos dil nga legjenda… i lutem
dhe shkëmbi i mbetet në shpinë,
se dashuria… jo se na mban në jetë,
por drejt vdekjes s’na hedh,
pikërisht nga ajo majë mali
ku ti arrin çdo mbrëmje, me shkëmbin, që pastaj
vetë e rrëzon drejt zemrës…
*Siddhartha- vepër e Herman Hesse