Sonte të kujtova, Nënë

26 Mars, 2018 - 7:52 pm

Poezi nga Azem Deliu

Sonte të kujtova nënë.

Teksa mendoja për librin e ri
Gjeneralë, mjekë e viktima kam vënë.
E asnjë nuk është si ti.

Sonte të kujtova nënë

Tek thithja cigaren që më përgjëroje të mos e pi.
Në tramvajin polak vend kam zënë
Qytet plot me fëmijë,
E plot nëna, nënë
Por jo ti.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva faj që ishe në kokën time një mendim
Kur unë në kokën tënde jam krejt mendimet.
Në suksese krahët m’i rrahin plot gëzim.
Ti ma përkëdhel kokën, në dështime.

Sonte të kujtova nënë

Dhe ndjeva vrapin tim pas mësimit,
Drejt gatimit tënd nëpër shi
Dhe ndjeva të të them: mos i fik dritat.

Kur ta mbaroj librin, prapë, do të vij.

Një gotë lëng mbushe për vete
Se ti alkoolin s’e pi
E unë do të vrapoj nga aeroporti
Se asnjë nuk është si ti./KultPlus.com

Të ngjajshme