17 Maj, 2019 - 11:10 pm
Pablo Neruda
Lermëni i lumtur të jem këtë herë,
asgjë, askujt s’i ka ndodhur
asgjëkund nuk kam shkuar,
por, ja që i lumtur jam,
deri thellë në zemër i lumtur.
Eci, fle a shkruaj,
çfardo që bëj, i lumtur ndjehem.
Më keq se bari lëndinave jam shkelur,
lëkura si lëvore peme m’është bërë
i shkon ujët tek rrënjët dhe zogjtë ka në majë,
deti si unazë e qarkon jetën time,
si tokën, bërë me bukë dhe gurë
dhe ajri si kitarë këndon.
Ti ulur krah meje mbi rërë, si rëra je,
këndon dhe je kënga.
Bota sot më është shpirti
këngë dhe rërë, bota sot në buzët e tua është,
lermë mbi buzët e tua dhe mbi rërë
i lumtur të jem,
të jem i lumtur… sepse jam,
sepse marr frymë, merr edhe ti,
i lumtur sepse t’i prek gjunjët
si trupin e kaltër të qiellit ta prek
dhe freskinë e tij.
Sot lermëni të jem i lumtur dhe kaq,
vetëm o me të tjerë, i lumtur ndjehem me barin
dhe rëra e lumtur të jetë me ajrin dhe tokën,
të jem i lumtur me ty, me buzët e tua,
të jem i lumtur./KultPlus.com