‘Sot nuk ka kuptim më shtypja e aparatit, pa fotograf…’

6 Tetor, 2021 - 7:05 pm

Poezi nga Arbër Selmani

Sot sikur më është ngulë një thikë në trup.
se,
kur vdes një fotograf, e mendoni dot
sa shkrepjet vdesin
sa fokuset, sa buzëqeshjet, sa imazhi, sa mirazhi
sa dritë e bardhë e balancuar
aty këtu ecjet, shatërvanet, kodrat, përqafimet,
fiken ditët kur ky djalë jetoi, shuhen projektet,
rrudhen fytyrat e krejt atyre që ai i akullësoi
i ndaloi, i jetësoi, i ngriu,
në krejt këto fotografi.

se dreqi ta hajë
le të bëhen këto fotografi
krejt bardhë e zi, pa pikë ngjyre
pardje e pashë për herë të fundit atë nur fytyre
çka i duhet shkëlqimi këtij qyteti,
kur në fotografi vdesin njerëzit, vdes Hana, vdes Deti
sot edhe Ahmedi.
vdesin festivalet, vdesin martesat, fejesat, ditëlindjet
pritjet
mbledhitë shoqërore në Brezovicë, kamerat, një dashuri e munguar,
shkronjat janë të tepërta, se ai djalë pati pak fjalë
por pati duar, pati jetë,
me fotografi, pa fjalë bëjeni atë epitaf,
sot nuk ka kuptim më shtypja e aparatit, pa fotograf. / KultPlus.com

Të ngjajshme