30 Tetor, 2022 - 10:30 pm
Plator Gashi
tjeterpardje i hangra do fije kashtë
jo për najgja
po për me u ndi si vakti —
të cilin s’e ka kërkush e qi si ka mbetë kurrkujt —
me plusku, i papronësueshëm, nëpër eter.
pardje u rrova prej kreje deri n’shputa
jo për najgja
po për me pa a jam dhe unë uk
mos me e harrue zakonin masi të ndërrohem kimesh;
prapëseprapë vazhdova, ma uk se uku, me gabimet
e zakonshme,
ma i lezetshmi prej të cilëve
me të dashtë ty me gjithë zemrën.
dje ia nisa me ngá. me ngá shpejt,
aq shpejt sa me iu ba shok dritës
jo për najgja
po për me u ba drita e synit tand,
po sapo hyna në bebe u përtheva në shtatë qind
grimca e u nisa nëpër shtatë qind shtigje të reja
e me uzdajë nashta shprishem prapë kështuthi
e dikur ndiej lirinë.
sot po shkruej pak
jo për najgja
po për hiçgja.
nesër do t’zgjohem rishtazi
dhami do t’lahet
kafja do t’pihet
voja do t’hahet
qielli do t’shihet
fjala do t’thuhet
gjumi do t’bahet
halli dot s’kahet.
masnesër ka me ndodhë prapë
lemja e papërlyeme e diellit
e kam me i hypë dyrrotakes
në drejtim të liqenit
qi kurr s’m’u ba si liqeri i Lazrit
se s’dita me e çmue pa e fëlliqë me trupin tem
të mkatnuem.
mastjetër
nuk e di
jo për najgja
po përnime s’e di
e ky asht bekimi ma i madh,
se tu mos dite rritet shpresa
e lakohet buza përpjetë;
prandaj mbes si rosa në mjegull
me pendla të shkrehta
e nashta dikur lundroj sypër liqerit
e e flladiti në ujë tepen e kresë, pak para se
me shtegtu drejt jugut. / KultPlus.com