26 Dhjetor, 2018 - 6:30 pm
Poezi e shkruar nga Omer Fucia.
Sot unë quhem vrasës.
Sot vrava të djeshmen dhe nuk di se ç’po ndjej.
Edhe pse e vrava kurrë nuk bëra të shuhen kujtimet.
Diku një moment e diku një fytyrë.
Siç uji dhunon gurin në përplasje,
ashtu m’pikon e shkuara në të tashme.
Po po, e vrava por s’po vdes.
Çdo ditë e vras e të nesërmen prapë të gjallë e gjej.
Diku në pasqyrë e diku në mëngjeset me diell e pa diell.
Në hënën forma-forma e në të vegjlit vezullues.
Të vrarën e djeshme e jetoj sot, e kështu shkon mot më mot.
Veç me vrasje e lindje.
Me të qara e të qeshura.
Sot më thanë ta vras edhe njëherë.
E thëna e thënë mbeti, e thënësi ndër dhëmbë qeshi.
Mbuluar me maskë, e me tjetër njeri.
Siç vetë koha, dje , sot dhe nesër.
Tek e vras më ndodh të stepem.
Të bëj një hap pas me thikën përballë pasqyrës
Tek vras vetveten për të disatën here.
Mendimet mbi krahë fluturash udhëtojnë në libra.
Mes rreshtash mbi pika e nën presje.
Anash emrash e pas foljes.
Stukur e mbështjellë pranë titujsh.
Mendimet qorrazi sec humben kujtimesh.
Mes personazhesh e në vende të përfytyruara.
Diku dhe mbi një shtëpizë plot dashamirë.
E diku nën sy e mbi flokë të një zemërmire.
Më bëjnë të stepem me veten përballë.
Të turpërohem si hezitoj veten ta vras.
Me thikën ndër duar, I ftohtë e syhapur.
E ngul mu në zemër të pasqyrës,
e lart I hedh sytë si t’fundit herë
Buzëqesh rrugëlidhur e shpresëvrarë..
Çdo ditë të djeshmen e vras,
e të nesërme kurrë nuk pashë.
Sot unë quhem vrasës, veç kaq jam.