10 Mars, 2020 - 10:30 pm
Poezi nga Ilnisa Agolli
Në ballkonin përbri shoh gjithnjë të njejtin burrë
Ai nuk punon kurrë dhe ka gjithë jetën me kollë një tingull i padurueshëm si modeli flokëve
Në ballkonin përbri sa herë dëgjoj kollën e çuditshme
burrit që gruan ia shoh rrallë unë pi tre cigare rrjesht
Sot, lëvizjeve të përsëritura i’u shtua një mizë
Po, pashë një mizë ndërsa i afrohej
Ti nuk mundesh të kuptosh këngën e një mize
As nga kati katërt
As kur bie shi, doja t’i thoja
Këngën e një mize e kupton veç miza brenda gojës gojës tënde
Aty, në katin e katërt ndërsa gruaja bën dush
Çudi e madhe, Askush nuk e kupton orgazmën e një mize
Si një dashnore ajo po hyn vjedhurazi në shtëinë e këtij burri në mesin e bajameve të tij në atë vend të ngrohtë ku vërshojnë sekrecionet dhe përplasen dhëmballëve si deti shkëmbinjëve
Ti nuk mund të kuptosh këngën e një mize në mesin e një burimi ku pështyma është kryengritëse si kënaqësia dhe vuajtja përmbysëse si dhëmballët që të mungojnë
Oh, sa bukur këndon miza në fytin e fqinjit tim të shkretë që i fryhen sytë papritur dhe më pas bota ndalet
Por… ja po e shoh, ai as që e ndjen këtë çast sublim Është kaq i gjorë saqë nuk i pushon kurrë kolla
Edhe pasi vdes
Ç’trishtim të vërtitesh vetëm në shtëpi dhe mos kuptosh asgjë
Ja, ai po mbyll dritaren e besdisi prania ime që e vëreu Iku, u fsheh pas murit dhe unë mendova ç’fatkeqësi të mos jesh mizë
Iinisa Agolli