21 Tetor, 2019 - 10:30 am
Poezi nga Stefano Benni
Përktheu Beti Njuma
Unë të dashuroj
dhe nëse s’të mjafton
qiellit yjet do t’ia zhvas
për të thurur kurorë me to
e qielli i zbrazët
nuk do të ankohet për çka humbi
sepse bukuria jote e vetme
universin do ta mbushë.
Unë të dashuroj
dhe nëse s’të mjafton
detin do zbraz
e tërë perlat
në këmbët e tua do sjell
dhe deti nuk do të përlotet
nga kjo ligësi
sepse mijëra valë, e sirena
nuk magjepsin sa një i yti vështrim.
Unë të dashuroj
dhe nëse s’të mjafton
vullkanet do ngrej peshë
e zjarrin do shtie
në duart e tua,
dhe akull do jetë
për përzhitjen e pasioneve të mia
Unë të dashuroj
e nëse s’të mjafton
edhe retë do t’i zaptoj
e të qetuara do të t’i sjell
që mbi ty të zbrazen
kur në verë
nga afshi gjumi s’të merr.
Dhe nëse s’të mjafton
që koha të ndalet
planetet në fluturim do ndal
dhe nëse s’të mjafton
vafsh në djall.