Stina e dashurisë

14 Prill, 2024 - 6:18 pm

Poezi nga Ndue Ukaj

Ta themelojmë një stinë të re,
lë të quhet stinë e dashurisë,
pak pranverë, verë sa për t’i pjekë frutat,
vjeshtë sa për t’i rregulluar ngjyrat
dhe dimër sa për t’i zbardhë ëndrrat.

Ta themelojmë stinën tonë,
një gramatikë të re fjalësh.

Tingujt të mos jenë stinë,
të jenë diçka në mes,
dhe foljet të mos jenë të parregullta.

Dhe pastaj ta themelojnë mbretërinë tonë,
me lumenj dëshirash që nuk ndalen kurrë,
me lumenj dëshirash që kthehen
në secilën stinë – e gurgullojnë –
e gurgullojnë, dhe ne e thyejmë rregullin e moçëm,
dhe lahemi dy herë në të njëjtin ujë.

Yje, lule, buzëqeshje dhe sy të gëzuar
dhe piktura dashurie, dhe askund pemë të ndaluara,
as gjarpër, as Kain.

Lë ta themelojmë stinën tonë, 
e malet të mos duken të larta,
e luginat të mos jenë të thella,
e ne të ulemi mbi maja malesh,
e të themi fjalë lartësish për ujdhesat,
fushat dhe luginat e fatit.

Lë ta themelojmë stinën tonë, në një djep plot ëndrra
dhe t’i përkundim duke kënduar ninulla dashurie,
për veten dhe për të tjerët.

Dhe në fund, lë të shkundim pluhurin
dhe historitë që janë ngjitë nëpër thembrat tona
e të hyjmë triumfalisht në këtë stinë,
të mbështjellë me të gjitha stinët nga pak./KultPlus.com

Të ngjajshme