Suzanne

1 Prill, 2021 - 4:16 pm

Poezi nga Leonard Cohen

Përktheu Aziz Mustafa

Suzana të merr teposhtë
Te vendi i vet pranë lumit
Dëgjon barkat që shkojnë
E ti e di mirë se mund
Të shtrihesh pranë saj
Pranë saj t’ia krisësh gjumit…
Ajo është gjysmë e çmendur
Prandaj ti je këtu duke pirë çaj
Dhe duke ngrënë portokaj
Nga Kina e largët të sjellë
Dhe bash kur mendon t’i thuash
Se ti nuk mund ta duash
Ajo të futet në gjatësinë tënde valore
Dhe e lë lumin ta thotë përgjigjen:
Ti dashnor i saj ke qenë prore…

Dhe ti e di se me të do të shkosh
Të udhëtosh me të verbërisht
Dhe ti e di se ajo të beson plotësisht
Teksa prek trupin e përkryer
Me mendjen tënde tinëzisht…

Dhe Krishti marinar ishte
Kur këmbë mbi ujë udhëtonte
Kohë të gjatë nga një kullë druri
Njerëzit nga larg vrojtonte
Ai me siguri e dinte
Se vetëm të mbyturit
Mund ta shikonin, edhe Ai t’i shikonte
Tha se gjithë njerëzit detarë do t’i bënte
Derisa nga mëkatet t’i lironte
Po ai vetë ishte i thyer
Moti para se t’i hapej qielli
I braktisur, gati njerëzor
Ai zhytet mes urtësisë sate
Si një gur meteor

Ti e di se do të shkosh me të
Të udhëtosh me të verbërisht
Dhe mendon se mund t’i besosh lirisht
Teksa prek trupin tënd të përkryer
Me mendjen e tij tinëzisht

Tash Suzana ta kapë dorën
Dhe të çon kah lumi ngadalë
Veshur është me zhele lëkure
Ardhur me ndihma humanitare
E dielli ëmbël si mjalti
Bie mbi retë mëkatare
Ajo të tregon ku të shikosh
Mbi mbeturina a lule të zjarrta
Mbi heronj, mbi alga deti
Fëmijë të lëmoshë në mëngjes
Që ligështohen për dashuri
Ashtu deri në përjetësi
Ndërsa Suzana pasqyrën
Mban pranë vetes

Dhe ti e di se me të do të shkosh
Të udhëtosh me të verbërisht
Dhe ti e di se ajo të beson plotësisht
Kur prek trupin tënd të përkryer
Me mendjen e saj tinëzisht. / KultPlus.com

Të ngjajshme