16 Janar, 2019 - 9:00 pm
Poezi e shkruar nga Mevlana Rumi.
Shqipëroi: Besa Salihu Morina
Kur të vdes
Kur tabutin për udhë t’ma nisin
As mendja mos të t’shkojë
Që po e humbi këtë botë
Mos derdh asnji pikë loti
Mos vajto
Keq mos të t’vijë
Në humnerë përbindëshi, bre, nuk po bie!
Kur sheh trupin e vdekur tek ma bartin
Mos qaj për largimin tim
Unë nuk po largohem
Unë po mbërrij në dashurinë e përjetshme
Kur më lë në varr
Mos thuaj lamtumirë
Ta mbash mend, varri vetëm një perde është
Pas saj parajsa fshihet
Ja, më pe tek zbrita në varr
Shihmë tash tek ngritem
E, si mund të ketë fund
Kur perëndon dielli
Kur hëna fsheh synë e saj
Po, duket si fund
Si muzg
Po në të vërtetë ag është
Kur varri brenda të mbyll
Mu atëherë shpirti e fiton lirinë
A ke pa ndojherë farë që bie në dhé
Të mos zgjohet sërish në nji jetë të re?
Pse pra me dyshu ngritjen
E farës që quhet njeri?
A ke pa ndojherë një kovë
Të kthehet e zbrazët nga pusi?
Pse pra me vajtu për nji shpirt
Kur ai mundet mu kthy si Jusufi?
Kur për të fundit herë
Gojën e mbyll
Fjalët, shpirti yt
Kanë me i përkit botës
Ku s’ka as vend, as kohë…