14 Qershor, 2019 - 11:03 pm
K. M. Fofanov – Përkthyer nga Petraq Kolevica
Përzgjedhur nga Bujar Meholli
Nga dashuri e parë
Gjithçka qe shuar shpejt.
Prej kohësh qenë dashur
Dhe qenë ndarë krejt.
Ai i vetëm mbante
Plot brenga në kraharor,
Ajo me tjetër ndante
Gëzimin e vet rinor.
Po ja, se ku papritur,
Kjo vjeshtë i bashkoi,
Kur digjej perëndimi,
Si jeta që u shkoi.
Në pyll, mes degë pishash,
Hyn dielli q’u përflak.
Ai mendon: Ç’u vyshk!
Ajo mendon: Ç’u mplak!
Ai s’i thosh dot – “Juve”
Ajo s’i thosh dot – “Ti”
Të fundmet lule vjeshte
Këputnin tok tani.
Do deshnin fortë të theshin
Plot gjëra përsëri
Dhe përsëri të qeshnin,
Po s’mundnin kurrsesi.
Asaj i dridhej zemra,
Atij i therrte fort…
Të heshtur krejt u ndanë,
Kurrgjë s’kujtuan dot…/KultPlus.com