25 Maj, 2021 - 11:49 pm
Nga Jehuda Amihai
Përktheu Edon Qesari
Tani, në mes të zhurmës që paraprin heshtjen
mund të të them do gjëra
që nuk të kam thënë në mes të heshtjes para zhurmës,
se mund t’na kishin përgjuar dhe streha jonë të ish zbuluar.
Se ne mund të ishim fqinjë nën erën që fryn,
kumbisur njëri-tjetrit në kamshinin e moçëm të Aram Naraimit*.
Dhe se profetët e mbramë të mbretërisë së arterieve të mia
kanë hedhur fall nën qiellin e mishit tënd.
Kohët na kishin me sy të mirë siç dhe në zemër,
muskujt e diellit qenë fuqizuar me prarime
në olimpiada ndjesish, mbi fytyrën e mijëra spektatorëve,
me qëllim që ne të dinim, që ne të rrinim, që sërish retë të vinin.
Shiko, ne jemi takuar në vendodhje të mbrojtur, në qoshkun
ku historia ka nisur zbritjen mbi tokë, e qetë
dhe e strehuar nga veprime të ngutura.
Zëri nisi të rrëfejë, natën, buzë krevatit të fëmijëve.
Tash është shumë herët për arkeologjinë
e shumë vonë për të ndrequr atë që u bë.
Vera do të vijë dhe zhurma e sandaleve të ngurta
do të zhytet në rërën e butë njëherë e përgjithmonë.
*Kamishini është, sipas Biblës hebraike, era që fryn përgjatë trevave egjiptiane – ku gjendeshin të skllavëruar herbrejtë – e që sipas traditës ka prejardhje levantine nga zonat e Mesopotamisë së sipërmen, në brigjet e lumit Eufrat ku gjendeshin fiset aramaike (Aram Naraimi).
Përkthyer sipas versionit në frëngjishte të pranishëm në vëllimin:Yehuda Amichaï, Perdu danas la gráce, traduit de l’hébreu par Emmanuel Moses, 2006, Gallimard, fq. 71./ KultPlus.com