23 Prill, 2023 - 7:01 pm
Poezia “Të dua” nga Andi Bejtja
Sa herë dora ime prek trupin tënd të zhveshur
dhe shtrati i djersitur ngjan me një re,
me duart që të dridhen me sytë e një fëmije
papritur më pyet, “a ka të tjerë si ne”?
Pastaj ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”?!
Të dua, të dua, të dua – unë kaq di
të tjerat nuk i gjejmë nuk i gjejmë dot as unë, as ti.
Loti yt rrokulliset edhe zbret në gjoksin tim
ne botën nuk e njohim, parajsën e dimë
akrepat po lëvizin, toka rrotullohet
hëna e plotë – asgjë nuk pipëtin…
Të dua, të dua, të dua dhe ti e di
sa herë s’ta kam thënë, ta kam fshehur, por je vetëm ti.
Dhe ndiej dorën tënde mbi trupin tim të zhveshur
shrati i djersitur, kjo dritë kaq e zbehtë
me gjunjët e këputur, me sytë e përhumbur
tani unë të pyes: “a ka të tjerë si ne?!”
Dhe prapë ora ndalet dhe toka s’rrotullohet
hëna plasaritet, nuk fryn më as erë
me muskuj të tendosur, në pritje të një britme
sërish pëshpërit, “do vdesim edhe ne”? / KultPlus.com