‘Të duhet të jetosh është revolucionare, dhe kur të vrasin këpucët e ngushta’

5 Shtator, 2022 - 4:45 pm

Poezi nga Herman Çuka

të vdesësh është
kaq e aq e thjeshtë,
psh në vdekje natyrale
ose kur të t’vrasin
ose të vetvritesh

por, të jetosh është r’evoluzionare
të jetosh të (mbi)jetosh
dhe kur lutesh të vdesësh
kur të dhunojnë
të sekuestrojnë
të vënë në torturë
të nxjerrin sytë
të presin gjuhë
të presin duar
të t’shesin
në treg refugjatësh

të t’rrahin bulët në lagje
në shkollë…
të t’rrahë nëna, babai
fisi … zakoni, ligji
të mbetesh jetim
të t’adaptojnë
të t’dhunojnë, të t’riadaptojnë
….
të t’kushtëzojë shteti
padroni
shefi
martesa
të t’tradhëtojnë
si pa dashje,
dhe organet gjenitale

të jesh padukshmëri
të jetosh!
të jetosh
rutinën
vetminë
rrëmujën
zhurmën
papunësinë e shekullit
ajrin e ndotur
frutat botoks
ujin me këste
llampën e edisonit
t’a mallkosh
t’a fikësh
të sheh lufta
të jep ultimatumin
t’i kthehesh kandilit
të ulësh parametrat e ngrohjes
të futësh kokën
nën jorgan
të chatosh
të dërgosh
një zemër
një zemër
virtuale
të masturbohesh
të bësh sikur dashurohesh,
të ngrohesh!
….
miliona motive
për të vdekur,
dhe nuk mundesh
se e do kaq, e aq shumë
kohën e egzistencës
më thua;” të duhet të luftosh”!
pastaj të dielën çohesh
në mëngjes
sheh diell, me kurajo e flet
për motin e bukur
qen’ i komshiut të shurron
tek porta
me të drejta të plota
të dhjet metaforën
për jetën, mbi jetën!
të duhet të jetosh
është r’evolucionare,
dhe kur të vrasin
këpucët e ngushta

dhe për frymëmarrje
në kohën e maskës,
t’akujve që po treten
si sheqeri
në damarët e tokës
që po digjet në kolesterol

më gjej një motiv
që nuk duhet të jetosh?
….
e përsëri e mbjell
një lule dhe vjeshte!
dhe t’a ujitësh, t’i mbledhësh
gjethet e thara t’i bësh çaj
për dimrin që po pret…
është r’evolucionare
(t’a jetosh,
jetosh) / KultPlus.com

Të ngjajshme