2 Janar, 2018 - 5:21 pm
Poezi e shkruar nga Besa Myftiu.
Ndoshta do të kthehemi një ditë,
me ca para në xhep
e faqe të rrudhosura,
atje ku lamë të gjitha dashuritë,
s’do gjejmë veçse kujtime të varrosura.
Gjithçka do të jetë ndryshe
dhe ne – krejt të ndryshuar
dhe pse në shqip do flasim
si gjithmonë.
Ne do të jemi përsëri të huaj,
por kësaj here në atdheun tonë.
E shkruar më 1991 nga Besa Myftiu
Besa Myftiu ka lindur në Tiranë, Shqipëri, në vitin 1961. Është vajza e shkrimtarit disident Mehmet Myftiu. Nëna e xhaz këngëtares Elina Duni. Ka studiuar letërsinë në Shqipëri dhe ka punuar si profesore e letërsisë në universitet, pastaj si gazetare. Autore e poezive, romaneve, tregimeve të shkurtra dhe ese, ajo ka shkruar edhe skenarë, duke përfshirë edhe film të metrazhit të gjatë.
Besa Myftiu është e përkthyer nga shqipja në frëngjisht. Që nga viti 1992, ajo jeton në Gjenevë. Është doktor e shkencave të edukimit, ajo jep mësim në Universitetin e Gjenevës. / KultPlus.com