Të jap këtë poezi

28 Tetor, 2018 - 12:30 pm

Nga Jimmy Santiago Baca.

Të jap këtë poezi,
se nuk kam ç’tjetër të jap.
Mbaje si pallto të ngrohtë,
kur dimri vjen të të mbulojë,
apo si një palë çorape të trasha,
që i ftohti s’i kafshon dot,

të dua,

nuk kam ç’tjetër të jap,
prandaj, ja një vazo misër i verdhë,
të të ngrohë barkun në dimër,
ja një shall koke, ta mbash
mbi flokë, të mbulosh fytyrën,

të dua,

mbaje, ruaje siç do ta ruaje
po të humbje rrugën, e të kërkoje drejtimin
në xhunglën e jetës prej të rrituri;
ruaje në qoshe të sirtarit tënd,
palosur si të ishte një kasolle a pendaricë
mes pyllit të dendur, eja trokit,
do të përgjigjem, do të ta rrëfej udhën,
do të të ngroh me këtë zjarr,
do të të çlodh, do të ndjesh siguri

të dua,

kaq kam për të dhënë,
kaq i duhet njeriut për të jetuar,
dhe për ta vazhduar jetën përbrenda,
kur bota përjashta
s’pyet në rron, a ke vdekur;
kujto:

të dua.

(Shqipëroi: the Falcon)

Të ngjajshme