24 Tetor, 2024 - 11:00 am
Poezi nga Nerimane Kamberi
Të marteve,
dal te pazari te Grandi,
aty kur dikur protestonim, rraheshim, bërtitnim,
pritnim pavarësinë, festonim pavarësinë.
Dal të blej speca me plot ngjyra e forma të ndryshme,
një copë pite të kallamojt me hitha,
blej edhe një copë vidim, kështu i thotë shitësja,
unë i them hotin, ashtu i thonë andej nga vij unë.
Te pazari,
njërëzit bisedojnë, me shitësit, në mes veti,
u njohën, s‘u njohën,
“a djegin specat?” , «sa, vezët e fshatit ?»,
“sa kohë e mirë, sot»,
Flasin për çmimet, për halle, për familje
harrojnë politikën, urat, dialogun,
përmendin pak luftën në Gaza, paguajnë qepët dhe patatet.
Duan ta harrojnë luftën e ’99-së, mendojnë se çka do të gatuajnë për drekë,
me perimet e blera.
Me qese në dorë, ndalen për një kafe në shesh,
jo larg një qeni të shtrirë në rrezet e diellit vjeshtor,
afër një çiftit të ri që puthet. / KultPlus.com