29 Qershor, 2018 - 6:16 pm
Lefter Çipa
Të vraftë perëndia
Se një herë s`mu fale,
Për hallet e mia,
S`pate shpirt të qaje.
Ti e di, për tyja,
Mbaj mbi supe male,
S`di nga vjen fuqia,
Fuqi kaq e madhe.
Moj, ti e vrafsh veten,
me duart e tua,
pa ty po të mbetem,
jetën, s`kam ç`e dua.
Shpejt, më djegtë prushi,
Më rrëmbeftë flaka,
Si kallamé gushti,
Në gushë të rafsha.
Si qiri je ndezur,
Si fleta më dridhesh,
Dhe prapë duke qeshur,
Nga flaka më ngrihesh.
Nga sytë e përplasur,
Nga fjala e dehur,
Ndaj po ta them hapur,
Zvarrë më ke hequr.
Veç ta dish një ditë,
Syri do të qajë,
Unë përmbi gjinjtë,
Do të ndez cigarë.
Cigarja djegtë mua,
Ty të të zhurisë,
Sa shumë të dua,
E dinë perënditë.