Terapia e gabueshme

5 Maj, 2023 - 12:26 pm

Dije Demiri Frangu

Diktatorët janë shumë në këtë botë të vogël
Ata zakonisht  ecin lakuriq dhomave  të atdheut
I heqin  lëkurat për t ‘i zëvendësuar me të ujqve
Shtrihen mbi kufomat e vjetra  mbi ato të rejat  
Vetëm flamujt  
I mbajnë për prezervativ  të sigurt

Turmat  të padhambta
Vuejnë nga sëmundjet kardiovaskulare nga anemia
Ulçerat u shpërthejnë disa herë në ditë nga të ngrënit e idealeve
Dikur  s ‘kanë më forcë për ta dashtë
As detin as bjeshkën

Prej herët kur  ëndrrat  nisin të herren
Prej kur mbillen  gozhda në vend të luleve
Mbështjellë  me ambalazhe  idealesh
Njerëzit vdesin nga disa herë në ditë
Nga mungesa  e bukës nga mungesa e ujit 
Dhe nga terapia  e gabueshme me ideale

E ata vazhdojnë lakuriq të ecin dhomave të atdheut
Flamujt i ruajnë si prezervativ të sigurt./ KultPlus.com

Të ngjajshme