Terr

25 Mars, 2024 - 2:56 pm

Ndue Ukaj

Natë! Shikoj diçka që nuk përkon me terrin
dhe ky mospërkim më hap horizonte.
Është terr, si në fillimet e kohëve
e veshët i kam hapë që të dëgjoj
buçimën e një zëri,
një zëri që vjen nga misteret e kohëve
dhe flet me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë:
“lë të bëhet drita.”

Dhe drita lë të bëhet,
e njerëzit të kundrojnë sa i bukur është një çast dritë,
kur jeta zhvishet nga terri dhe shfaqen livadhet plot lule,
e qielli bëhet fushë e pafund,
spektakël për zogjtë dhe retë e lumturisë.

Por diçka të rëndësishme mund të mësohesh edhe në terr:
se zhurma e paqartësisë mund të shndërrojë në terr,
në një tokë të djegur,
prej së cilës nuk sheh lulishtet fatit të gatuara për ty.

Në terr nuk ndien hovet e gëzimit,
që të çlirojnë trupin nga pushtet i natës.
Në terr nuk dallon asgjë, e as hijen tënde,
as sytë e butë që mund të jenë diku afër
duke kërkuar, duke pritë,
duke vuajtë për sytë e tu plot dritë.

Megjithatë në terr e mëson se
të shpëtosh prej pushtetit të tij,
asgjë nuk të duhet më shumë se drita,
ajo dritë e vogël që bie në zemër të errësirës,
si kandili që e mbajnë duart e forta
brenda një dhomë të zhytur në terr dhe trishtim. / KultPlus.com

Të ngjajshme