7 Nëntor, 2022 - 11:59 pm
Poezi nga Basri Çapriqi
Kam zgjatur duart
Kam ecur mbi rërë
Me gjetë
Portokallen e humbur
Te një breg që e hante uji
Gjithë natën e lume
Në një shteg që
S’e shoh unë
Hynë gjithë ai zë
Që ulet nga qielli
Ku mund të hapet
Kjo zbrazëti
Me mbushë pak shpirtin
Dritë
Portokallja që s’shihet dot
Shtrydh pa ja da
Pika të ëmbla mbi buzët e egra
T’atij bregu që hante uji
Kur u ngrit terri lart aq lart
Sa s’preket me dorë as me sy
Një zë që vjen nga larg
M’kish shtrydhur
Portokallen që
Mbaja në shuplakë / KultPlus.com