‘The POET Magazine’ publikon poezinë e Arbër Selmanit “Kirillin e vranë”

7 Prill, 2022 - 8:02 pm

Poezia e poetit Arbër Selmani “Kirillin e vranë” është përfshirë në një antologji për Ukrainën – “Poetry for Ukrainë”, e cila është botuar nga The POET Magazine, shkruan KultPlus.

“Unë uroj me gjithë zemër që të mos na duhej të bënim shkrime të tilla, por disa prej nesh, vetëm përmes shkrimit e kemi të mundur të përballemi me pamje shkatërruese sikurse nga Ukraina. Njerëz dhe institucione të ndryshme kanë dhënë donacione për magazinën “The POET”, për përpilimin e kësaj antologjie të mahnitshme dhe të përzemërt”, ka shkruar autori në postimin e tij në “Facebook”.

Ai gjithashtu ka thënë se nëse dëshironi që të dhuroni donacione për uebsajtin “Poetry for Ukraine”, duhet të shkoni në faqen e tyre të internetit dhe të klikoni mbi “support us”.

“Ju gjithashtu mund të blini antologjinë, dhe kështu do të dhuroni për mirëqenien e popullit ukrainas”, shkruan tutje Selmani.

Kirilli është foshnja e cila u vra në Ukrainë më 7 mars, ndërkohë, KultPlus iu sjellë edhe poezinë e Selmanit më poshtë:

Kush i copëton zorrët e foshnjës 18 muajshe?
Kush?

Kujt i plasë për foshnjën
së cilës
ia nënshkruam traktatin e vdekjes?

Kujt?

A del më shumë tym prej një ndërtese në gërmadha
A prej një Putini
A prej një njeriu mut
A prej një foshnje që lëshoi të fundit klithmë sot?

Kë ta kapë për fyti tash kjo nënë?
Kah t`ia mbajë këmbëve ky babë?
Kush numëron sa pika gjak u shtrydhën nga një kokë e vogël
e një foshnje?
Kush i pastron të vjellurat e fëmijëve poshtë bombardimeve?

Në Ukrainë, Kirillin sot e vranë, Kirilli është i vrarë
… se duhet të jetojë lufta, nafta, Kremlini, punëtorët nuklearë
… të përgjakur, rrugëve jetojnë ukrainasit me kokën e çarë.

A buzëqesh sot, nëse ka Zot, ajo dorë e prekur prej një nëne ruse?
… dora që vrau një bebe, një jetë të mbështjellur në çarshaf lufte
… dora ruse, dora ruse, e vran Kirillin, po vran fetuse.

Në Ukrainë, Kirilli është tash në nëntokë
… nuk i ha palla botës as atij mizorit për një fëmijë më pak
… Kirill, gjuaje Putinin me granata, prej ku fle tash, o foshnje pafat, gjuaje me gjak… /KultPlus.com

Të ngjajshme