20 Prill, 2018 - 3:30 pm
Charles BAUDELAIRE
Nëse dhomat e shpirtit tim do vizitoje
Çfarë pretendon se do shikoje?
Cilin përbindësh mendon se fsheh?
Po të zhgënjej, por nuk më njeh.
Nuk ka nevojë për të trokitur
Hyr, shih, kërko, mbet’ e habitur.
Mure të zbrazët lyer pa ngjyra
Fotografi, por pa fytyra.
Diku e hedhur afër shtratit
Është nje kuti e tersit, e fatit.
E mbushur plot është me kujtime.
Brenda gjithë historia ime.
Janë fjalët që kam thënë aty,
gjithkush që njoha, përfshi ty.
Gjithçka që bëra, e që vetëm i ëndërrova
Vendet ku shkela, ku jetova.
Janë zënkat tona dhe mëritë
Janë puthjet netëve pa dritë.
Veset e mia që aq urreve
Mërgimi i ngadaltë i reve.
Dënimet që vuajta për ty
Herët kur s’të pash në sy.
Jetët që pa ty jetova
Të tjera femra që dashurova.
Janë dhe sekretet që s’të kam thënë
E amanetet që të kam lënë.
Fëmijët që kurrë nuk më lindën
Epshet që vrava se nuk mu bindën.
Ka letra, që për ty i shkrova
Në zarfet që kurrë s’ti dërgova.
E nëse gjithçka përmbys do kthesh
Sekretin më të madh do gjesh.
E kam fshehur në fund fare
Po s’e zbulove, s’ke pare gjë fare.
Nxirre mes duarsh në shtrëngim
Atë më të shtrenjtin sendin tim.
Balsamin që plagët shëronte
kur kjo djall jete më kafshonte.
Para fytyrës ngadalë afroje
Dhe mbylli sytë, pastaj zbuloje.
E kur ngadalë ta kesh zbuluar.
Veç një pasqyrë do gjesh në duar.
Do shohësh veten, reflektim
Se ti , ishe thesari im!