17 Gusht, 2017 - 4:52 pm
Poezi e shkruar nga Izmir Todaj.
Ti je ndryshe!
Krenare dhe e pabindur!
E gatshme të më çosh në djall sa herë të duash,
Dhe të rikthehesh sërisht, sikur asgjë t’mos ketë ndodhur,
E unë, të të them, “Më fal”.
Ti je motivi përse e dua jetën!
Sinomim i krejt gjërave të çmuara;
Zgjuarsisë, thjeshtësisë, bukurisë…
Marrosja ime mban emrin tënd,
Ashtu siç mban emrin tënd edhe dashuria ime!
I gatshëm të duroj çdo plagë që më dhuron.
I gatshëm të të mbroj, si Hektori Trojën, ndonëse do ta kem të vështirë; Ti je tepër e madhe për zemrën time, o dashuri,
Tepër e fortë,
E papërballueshme!
Por unë do të luftoj deri në fund, deri në inekzistencë…
Dhe ndoshta do të ta mbroj “Trojën” time.
E nëse fundi vjen, në frymën e fundit do të shqiptoj emrin tënd prej çuni, o “çun” me tipare të dashurueshme femërore!
Do ta thërras me zë të lartë emrin tënd, në çdo udhë ku kemba ime do të shkelë,
Do t’i shkruaj inicialet në çdo bankë ku do të ulem,
Në çdo pemë në natyrë,
Në çdo avion prej letre…
E në mundsha, edhe në rè!
Ti je dhe do të mbetesh gjithmonë,
Dashuria ime, shoqja dhe shoku im,
Shpirti im binjak,
Bashkudhëtarja ime në këtë jetë…
Ti, heroina ime!
– Izmir Todaj, Lushnjë: 10 gusht 2017.