Ti, mjellma e bardhë e Kosovës

26 Mars, 2019 - 11:52 am

(Foto në ballinë: Valerie Plesch)

Poezi nga Luan Rama

Vasfije Krasniqit, që gjatë Luftës së Kosovës, u grabit me forcën e armëve dhe u përdhunua. Sot ajo kërkon hapur dënimin e përdhunuesve të saj serbë.

Motra ime e vogël
syri ynë i bukur dhe i dlirë
ti u zgjove sërrish të ecësh në udhët e botës
për të treguar plagët e shpirtit
plagët e plagëve të mëmës Kosovë
kohën e errët të poshtërimit
dhe të eklipsit të madh.
Ti nuk doje ta lije Vushtrinë
kulmin e vjetër të shtëpisë me trarët e rënë
lëndinën – Kosovë
ti qëndrove si lastari i bukur mes zjarrit
rrahur nga furtuna dhe rrufetë
stolisur me 16 lulëkuqet e jetës tënde
e bukur si Venusi në velur
aty ku toka qante e nxihej
aty ku Kosova dergjej në vdekjet e e saj të mëdha
trandur nga vargu i madh i eksodit biblik.
Populli shkonte
të vdekur e të gjallë
por ty motërz të tërhoqën zvarrë
kryqëzuar si Krishti
kryqi shtrirë në Babimovc
përzhitur në urrejtje dhe hekur të skuqur
ndërsa ti kërkojë veç një plumb
që jeta të humbte
që bota të shuhej
ti bozhur i bukur i Kosovës
ti doje të vdisje atje në katakombet e krimit
ata donin që preha të vuante gjer në frymën e fundit.
Më kot kërkoje diellin në qiejt e nxirë
atje ku zogjtë s’pipëtinin më
ku të gjitha këngët qenë shuar
ku gjethet nuk fëshfërinin më
dhe hëna mbytej në honet e mjegullta
me trishtin tënd të pafund
me lotin e ngrirë dhe gjinjtë e gjakosur
dhe ku shtëpia i ngjante një arkivoli të madh.
Ditë pa frymë në tokën djerrë
në rrokullisjen e zhurmëshme të bombave
kur muajt nxitonin të sillnin një tjetër ag
më të bukur se agimet e tjera
kur një dritë e bardhë papritur tu afrua dhe të tha:
– Eja bija ime etërit janë zgjuar
të vdekur dhe të gjallë
bijtë po kthehen nga udha e gjatë!
Koha kalonte
dhe ti shkele sërrish pragun e jetës
me aureolën e dritës së bardhë
me diellin dhe hënën në sy
shtëpitë e vjetra u ringritën në udhët e gjelbërta
dhe jeta u mbars përsëri
aromë gruri dhe dashurie
por ti jetoje ende me hiret e tragjedisë
në ehot e britjeve
zhytur në greminën e heshtjes
në heshtjen që një ditë do klithte për shpagim.
Motra ime e vogël
syri ynë i bukur
më së fundi ti u zgjove
për të ecur sot në flladin e botës
ku mijra e miliona duar të mbajnë lart
si një emblemë purpuri të kurajos
ti, mjellma e bardhë e Kosovës…
——-

Luan Rama

Të ngjajshme