9 Dhjetor, 2024 - 5:49 pm
Blinera Hajdari
M’ke tradhtuar në mendime ,
N’shikime, n’prekje.
M’ke tradhtuar në ecje,
Rrugicave, pa fshehje.
Në pikë të verës,
kur as për ujë njeriu s’mendon.
Në kulm të dimrit,
kur dora i dridhet dorës që takon
M’ke tradhtuar mbrapa krahëve,
Kur emrin s’ma ke mbrojtur.
Hera-herës, si t’mos më kishe njohur
M’ke tradhtuar edhe para syve,
Kur në sy nuk m’ke parë!
Kur nata e zezë ditën e ka vrarë!
Ti prapë mërinë n’mua e shfryve
Duke mallkuar, duke sharë.
M’ke ngulfatur n’heshtje…
Pa duar, pa prekje…
Fletët e shpirtit m’i ke zvarritur,
M’i ke tharë, m’i ke vyshkur.
M’ke tradhtuar, e nuk i thua tradhti
M’ke dashur, e nuk i them dashuri.
Të kam kërkuar të mos e bësh!
Po, sot, kërkoj të më tradhtosh!
Më tradhto ashtu siç ti
mendon se është tradhtia!
Të të vulos, ashtu siç dikur duhej të dija!
Kur të ruaj si gjënë e shenjtë,
kur syri dritë tjetër s’sheh.
Fryma jote është tradhti,
fytyra jote është tradhti.
Tradhti – mendimi për ty!
Më ke vrarë, a po e vras vetën?!
Këtë ah, nuk e di!/ KultPlus.com