18 Shtator, 2018 - 7:24 pm
Arbër Selmani
T`pres me ardhë e me m`marrë,
Si fëmija që e pret prindin në çerdhe.
T`pres me ardhë me të tregu se nuk kam qenë mirë
Se muajt e fundit më asht krue trupi,
Kam pasë frikë me dashuru
Kam pasë drojë me dalë jashtë vetes,
Kam pasë inati me botën, smirë me grimcat e mendjes time.
T`pres me ardhë e me të tregu se,
Jeta ka ecën ndryshe kur më iku dashnia e fundit,
Jam krue shumë, muajve të fundit, jam plandos përtokë
Pa ditë emën e mbiemën,
Rallë kam qajtë, se lotët kujt nuk ia heqin valixhen e mërzisë.
Se di çka kam pasë, veç diçka mirë jo
Dashnisë së fundit i ka ecur jeta kristal,
Unë e kam pasë timen si një pikturë që çdo herë ngjyroset keq
Keq një vijë, keq një ram vendosës, keq gjithçka, i keq piktori
Zoti ka qenë i keq me mua së fundmi,
Zoti nuk qe i zotshëm për mu, i mërzitshëm si fytyrë
Zoti se di a i dëgjon lutjet,
Zoti ndonjëherë më duket si fjalë që si duhet fjalorit.
T`pres ty me ardhë e me u harru,
T`pres se të tjerëve u erdhën të dashurit,
Të gjithë morën frymë lehtë, disa humbën virgjërinë,
T`pres se kam pasur kohëra të vështira në këtë trup timin.
Emrin nuk ta di,
E di që t`pres e me siguri ke me ardhë rrëmujshëm.
T`pres me ardhë e me ta tregu një rrëfenjë,
Një libër që e kam në mendje e nuk kam shpirt me e këndue,
T`pres se e di që mundesh me qenë ti, duart që duhet t`më përthekojnë.
Andrra që me siguri kam me e dënesë,
Vaji i gojës së mbushur me bukën e tokës së bekuar t`dashnisë.
T`pres, se pritja zgjat ma pak se grithja që i bëj këmbëve ditëve t`nemuna.
T`pres siç pritet fundi i botës,
Qetësisht, i zhveshun, t`më prekë uji i valës së madhe
Ka me e marrë Parisin, Londrën, ka me e mbytë femrën ma të bukur që diku bën gjum,
Po nuk du i vetëm me qenë i kapshëm prej ujësisë.
T`pres, t`pres sikur me e ditë që vonohen vjeshtat e kësaj jete,
Kam shpresë që mundesh me ardhë.