Trëndafili

29 Tetor, 2018 - 7:00 pm

Poezi e shkruar nga Qëndresa Prapashtica.

mos më thuaj diçka tipike,

si – “je e bukur si nji trëndafil”

në momente unike si këto,

asgjë s’mund të krahasohet

me trëndafilin…

se nji trëndafil

çelë bukur edhe në vjeshtë,

mahnitë kopshtin derisa dikush merr n’thu

bjen me hundë në xhemba

mandej shanë, shanë dhe bërtet

bërtet për bukurinë që e vret…

e vret dhe e ringjallë, dhe përsëri e vret…

nji sjellje që don t’ia mësojë njeriut, trëndafili

është që gjërat e bukura kërkojnë trajtim të veçantë

kështu fliste njeriu i parë që doli nga shpellat e gurta

me kohë, mësoi të mos shpohet, të nuhasë,

të buzëqeshë,

të mos bërtasë…

mos më thuaj diçka tipike,

diçka të pakrahasueshme

diçka të pavërtetë,

më thuaj si ndjehesh kur e sheh nji trëndafil?

më fol për ndjesitë e tua

më trego si ndjehesh pranë këtij misteri plot xhemba

që e shohim, e s’e njohim…

më fol për ndjesitë e tua, nëpër vite

me trëndafilat që nuk ndryshojnë formë

e ndoshta, edhe në zemrën tënde diçka po mbetet e njejtë

nji trëndafil që merr ngjyrën tënde,

dhe çelë në botën e krijesave si nji send i rrallë,

ndërsa ti flet për gjëra tipike,

nji aromë më vjen nga diku

e më kumton për ty, tregimin e nji trëndafili…

Të ngjajshme