Triptik për nji dimën t’vonum

22 Shkurt, 2025 - 7:30 pm

Një kemishë me lulka në dimrin e pafund

E sheh? Edhe Drini, plak i struket dimrit, bahet se fle me një sy çel, Tek tund një grua si arushë flokët mbi kemishë me lulka!

Është stinë e bardhë, i thonë të vonuarit, Që harruan me bë dashuri nën shelgjet vajtuese në prillin e egër!

Te e vona, ajo mban duart n’gji kemishën me lulka mos t’ia marrë era, Se bardhë bëhet gjithçka andej e këndej lumit

Deri sa majë mali, dy zogj afrohen edhe më afër dhe puthitin sytët.

Është edhe një stinë kjo, simfonia me fjollë t kristalta, trumcak trokasin preken me krahë…

Një urë shikon vëngërr akullin nëpër këmbë, E pret me afshë, me rrjedhë trofta, me pika të kuqe, njajte si kemishë e saj me lulka.

2.
Mos e fsheh!
( grua )

A t”kam ba me u nie gjall’
Me vesh petka t”harrume
Qe ke pertu me ja qiten vetit si duvak i fshehur n’arken me ftonjë

A t’kam ba me mendue se bota e dashnis’ nuk asht e sosun, ska kufi
ka nejt prush diku ne rafte kandil i dhezun!

He moj, ma thuj
A t’kam ba me fole
vetëmevete ninulat e harrume!
Edhe ato kangët qe gulqojshe n’gushen e bardhë tuj la petka n’Dri!

A t’kam ba me nie veten gjall’
me prek gjinjtë me que pak përpjete tufen e flokut mbi vesh
E me prek vathin me ka’shue buzën!

Se reja e dimrit kur gjun
As nje strehë nuk jet pa i’u dridh çatisë!

A t’kam ba
Me tund xhubleten n’rreze dielli e dritë hane
E me i thane k’tij vendi:
Ja, ata jane djemt tanë ardhur n’jetë nga dashnia
E dashni e kane dhen e Nan’s cep me cep!

3.
Ra,
edhe nji dimën,
i hirtë argjend n’flokun tan!
copë-copë akull i thyem.
Me duar mban gjunjtë,
me çelë parmakun n’dritë,
me pa lule Ajkunën e fjetun dymijë vjet!
E masanej, kur pranvera nis me trokitë n’zemër,
zgjohet shpresa,
asht fllad që fryn mbi dheun e lagët,
tuj dhanë jetë asaj që dukej e vdekun.
Dashnia merr frymë ma thellë,
e kupton se Pashkët janë me dashtë pa frikë,
me falë pa kushte,
me ringjallë prej kujtimeve t’vjetra.
Prej heshtjes me
shpërthye n’kangë për
nji përqafim t’ngrohtë,
ani pse kanë shkue do vjet,
ndrijnë diell i ri.

Xhevat Xh Latifi
Dimën,2025/ KultPlus.com

Të ngjajshme