26 Maj, 2020 - 2:00 pm
Poezi nga Rozafa Shpuza
Sa qesh’ fëmijë
s’mujta kurrsesi me e kuptue
pse gjyshja vente në gjoks nji copë sapun ermirë…
E mbështillte sapunin si ferishten në djep
dhe e fuste mes cicave të mëdha,
pa dashtë me ia ditë për brohorimat e grave
që parakalonin me kazma ndër duer.
Sa qesh’ fëmijë
admiroja kostumin e zi të martesës
që im atë e veshte në çdo festë a mort,
tue mendue se ai kostum mbartte magji
e prandaj ruhej me aq kujdes
në raftin ku t’i shponte hundët naftalina.
Sa qesh’ fëmijë
imagjinoja se tana fustanet e grave
janë prej basme me lule dalëboje
si i vetëm fustan veror i nanës
që lahej, terej e hekurosej përditë…
Si t’ia baj me tanë këto kujtime, malli jem,
tash që fotografitë bardhezi
më janë shkapërnda mbi prehën… / KultPlus.com