Tundimi i Moisiut

18 Gusht, 2022 - 2:35 pm


Nga Edon Thaqi

S’i shkëputa dot prangat e tua
Si duket ishim njohur shumë
Po asgjë njerëzore s’më është e huaj
Kur botën dëshmoj me:
Sentio, ergo sum.

Po çfarë ka ndodhur me ty o Moisi?
Zëri në ëndërr që të zgjon në mesnatë
është vetëm për të treguar
se Sinai u përfshi në flakë
Hyji ta shpalli të vërtetën
veç ti me këmbëngulje s’e pranoje
thurshe ditën e çthurshe natën
e për vezuvin shi kërkoje

Po a ja vlen më o Moisi,
a vjen ndokush, dikë me pritë?
Kur krejt çka kanë mbetur janë:
Zërat e heshtjes dhe pak muzikë.
Absurdi afrohet të t’mbërthej,
të t’përqafojë:
“Imzot ja ku jam e mos ke frikë”

E dashur jetë mbet e virgjër
E fundit është kjo goditje me thikë
Gjashtë muaj pas vdekjes tënde
Mbi varr, një lulediell do të mbijë.
Ndërrohet moti, ndërrohen stinët
Çaje detin si:
Endacakë përmbi valë
Me Kujtesën e qëndrueshme
Anguish,
Klithma,
Natën me Yje e Han’…
Se nuk dihet a ke për t’u ngjitur më në Sinai. / KultPlus.com





Të ngjajshme