14 Shkurt, 2025 - 2:37 pm
Shkruan: Agron Elezi
Tundje Lapsi
Ekranet më kaplojnë me krahët tinëzare
drejt thellësive të horizontit të trazuar
në rrugëtimin tim në kopshtet holograme
në grabitje dhe kafshim të frutës së ndaluar
Nën joshjen e lojërave shkëlqyese të LED-it
në hartën e dëshirave, në thesaret e magjepsura
lëkurat shkëlqejnë, sytë e mi përndjekin
rrengjet e ekstazit
buzët e fshehura
Ah, imazhi i saj, ujëvarë freskie e hatashme
rrëshqet kodrës sime të thepisur, vullkanike
përcjellur me ato klithma të pashmangshme
të epsheve të pangopura
të spërkatjeve magmatike
Flas me pëshpëritje në ëndërr,
në deliri
mbi jastëkun e akullt të moralit, zakonit
çdo rrokje derdhet porsi mjaltë erë-bliri
nga emri i saj
odë e poezive të Erosit
Mbetur mes yjeve, si kometë që sillet vërdallë
me bisht të çmendur, zhveshur dhe eksituar
tundoj mbi planetin e kuq, në vorbullën e përdalë
në dashurinë hileqare në aktin e korruptuar
Por si mund ta grabit një poet yllin?
me fjalë, me ndjenja, me mençuri të egër?
apo të betohet me Dionisin dhe djallin
të kapërcej qiellin
të thyej ekranin.
Janar 2025, Gjilan, Kosovë/KultPlus.com