30 Janar, 2018 - 10:46 am
Poezi nga Ndue Ukaj.
Është mëngjes.
Lajmet e mira nuk vijnë si melodia e zogjve:
Na ishte njëherë pranvera, shpresa,
Dhe ideja se liria është mungesë e robërisë.
Tani ka tym e gaz,
Dhe pranvera i ngjan vjeshtës.
Mbi kokat tona valëvit pikëllimi,
Ky flamur morti që si një kortezh trishtimi
Bredh prej dore në dorë.
Lajmet e mira nuk u ngjajnë ëndrrave.
Shkruhen tuneleve ku mungon drita,
Aty ku terri shtrin pushtetshëm fuqinë
Mbi rojet e fatit-
Ata njerëz që luajnë në teatrin e demokracisë.
Qyteti fle i trazuar
Zgjohet i trazuar
Qan e qesh i trazuar.
Kafet janë mbushë më fantazma
Dhe kukurisje lajmesh që mbllaçiten keq.
Ka tym dhe një flamur pikëllimi
Që është shtri si shall dhimbjesh
Në qafën e rënduar të një populli
Që kërkon të pëlcasë nga trishtimi.
E unë mora me vete një thes ëndrra
Dhe dola rrugëve pa shpresa.
Pashë njerëz të shndërruar në hije
Dhe një pallat të vetmisë me rekuizita trishtuese, me mbishkrimin:
“Liria është mashtrim i madh.”
Rrugës shkelmova gurë të hedhur pikëllimi.
“Sa shumë marrëzi mban qyteti im mbi supe”-
Më tha vajza me shallin e bukur rreth qafës saj të ambël.
Dhe një çantë të zezë trishtimi që e mbante me vete.
(Nga libri, Gjithmonë diçka mungon, OM, 2017 © )