31 Mars, 2019 - 5:20 pm
Manjola Nasi
Sot ndërrohet ora.
Për 60 minuta
m’u dha mundësia t’i kthehem dy herë
jetës sime
si një fustani që s’hekuroset lehtë.
Rrugës për Amerikë,
diku mbi oqean,
në atë zgavër të përbindshme uji dhe errësire
ishte dera për t’u kthyer pas
në një copë nate
në një copë dite –
një vrimë në kohë ku mund të jetosh
pa paguar me kohë.
Po dikur vjen kthimi pas:
Evropa,
e diela e fundit e marsit,
ku zgjohesh një mëngjes
a në një aeroport
dhe ndien se të kanë vjedhur./KultPlus.com