Unë

11 Janar, 2020 - 12:28 pm

Poezi nga Eugena Gjoka

Unë i përkas errësirës
mënyrës më esenciale të vuajtjes
rrugëve që treten mes fundësisë së pafundësive
autobuzëve, avioneve, trenave dhe trageteve,
unë çdoherë i përkas largimit…

Mos shpreso në praninë time
unë pavarsisht ndjenjave
e shmang prezencën tënde
sepse i frikësohem përballjes
trembem prej së rremes.

Unë jam e largët mes afërsisë dhe afrimitetit
jam disi e stepur
më karakterizon një lloj menefregizmi
e huaj jam mes të njohshmes dhe të prekshmes.

Unë të shmang me bindje
në kontraditë me vetveten
të hedh mes harresës së mendimeve
dhe të gjej në thellësi të zemrës.

Gjithsesi, mos shpreso në praninë time
i humbur do dalësh
nuk e besoj të përhershmen
dyshoj dhe në vet fjalën.

Mos u perpjek me mua
ndarazi vazhdoje rrugën tënde
Mos u gjunjëzo në këtë kobësi ndjenjash
i qetë ndiq pas veten. / KultPlus.com

Të ngjajshme