16 Janar, 2020 - 10:15 am
Poezi nga Serafina Lajçi
Unë dhe ti
Jemi piktura e një qielli t’kaltër
e poezia që grish amshimin
Unë dhe ti jemi skaji i Moirave
që na lënë si darkën e fundit
Unë dhe ti jemi fryma e vetme
e dy palë buzëve që mbretërinë e kanë t’bashkuar
Unë dhe ti jemi përrallat e vërteta
t’paramenduara veç si prehje fëmijesh
Unë dhe ti jemi shpirti i lirë
i valëvitur erë n’kërkim t’tjetrit
Unë dhe ti jemi magjepsja
kur qesh skaj i buzës
e syri kaplohet n’shkëlqim
Unë dhe ti jemi flaka
që shuhet veç kur duam ne
Unë dhe ti jemi malli
kur merr hov si meteor
Unë dhe ti jemi yjet
sa herë ndeshen shikimet tona
e përflaket galaksia
Unë dhe ti jemi Uni(versi)
Gjithçkaja e mëhershme e pyetjeve
Unë dhe ti jemi eklipse përqafimesh
që shkrihen mallshëm
E bëhen NJË