25 Shtator, 2018 - 7:30 pm
Poezi nga Rudina Çupi.
Sa i bukur i duket vetja shiut në shtëpinë e një merimange
plot shalë,
pa gjoks ku strehohen të (fr)ikurit.
Si bëjnë dashuri pa flirt femrat që flenë nën perçe
lëvozhguar me uniformë dimri pjesës më të mirë?!
Këto sorollas në tru
ndërkohë që ndiej gishtat të sakatohen si mashkullorë
në këpucët e mia elegante me majë
që në çdo “tak” i hap rrugës nga një sy për të më parë
si pikë e shiut hap liqenin për të hyrë;
se unë nuk dua të çaloj në të qenit grua.
Shiu tundohet:
të ngjyroset në tualetin tim të hareshëm
a të lagë atë që mbrohet!
A s’është dhe ai burrë
që do të banojë në gojët tona të poshtme, të heshtura
që s’duan kurrsesi të zënë merimangë
ndaj janë banesa të buta, të ngrohta
se nga e buta iket rrallë!/ KultPlus.com