14 Shkurt, 2020 - 11:00 am
Poezi nga Arbër Selmani
E dashtun, urime
Urime që sot e kemi vnu maskën e shëmtueme
Edhe disponimin e një çifti perfekt.
Urime që sonte darkën e kemi t`shtrenjtë
Urime për ullinjtë që ma vonë kemi me i vjellë
Urime buzëqeshja e plastë.
Shih përreth,
Krejt këto çifte sot do të luajnë boks më vonë
Por urime, jemi një kllapë e lumtun.
E dashtun, urime dashnia
Urime kjo dashni që nesër në mëngjes më pret e nemun.
Urime Shën Valentini,
Këta asnjëri se dinë se mukozën në fyt
E kam prej përlamjeve tona si çift i dobët që jemi.
Por sonte, urime
Lehtë puthemi para tyre, ata puthen butë para neve
Më vonë bëjmë seks, nesër divorc.
Urime që veç sonte ne duhemi ma shumë se çdo ditë.
E natën mallkojmë njerëzimin histerik.
Urime për secilën dyshe snobe, urime për shumë si ne dy.
shkurt 2015