26 Shkurt, 2023 - 2:00 pm
“Vajtimi” është një ndër poezitë më të bukura të Viktor Hygosë, kushtuar boshllëkut që lë pas humbja e një personi të dashur. Që nga mungesa fizike, e deri tek ajo shpirtërore më së shumti në rrethin familjar, autori ka shkruar një elegji për vdekjen, e cila përjetohet si një ngulja e një thike të ftohtë drejt e në shpirt. Padyshim kjo elegji ndihet më shumë e dhimbshme nga ata që e kanë përjetuar një humbje aq të madhe, sa ajo e një familjari apo miku mjaft të dashur. Nga vargu në varg, dhimbja bëhet edhe më e fortë, teksa autori mundohet të kalojë nga e përgjithshmja (mungesa në natyrë) tek e veçanta (mungesa më e madhe që ndihet në familje).
O shtigje ku lirshëm valëvitet bari,
Lugina, kodra e ti pyll që oshëtin!
Çfarë është me ju e gjithë kjo heshtje varri?!
Për atë që iku e jo më nuk ka kthim!
Po pse kjo dritare tash vonë rri e mbyllur?
Dhe pse ky kopsht rri i heshtur e i shkretë?
O shtëpi, ku është i zoti që gjithmonë miqtë i ka pritur?
“Di vetëm që s’është e kurrë më s’do të jetë”.
E ti qen besnik, kush për ty do kujdeset?
S’ka dorë të të ushqejë më, këtu njeri s’ka.
Fëmija i gjorë qan e kërkon të atin
e vejushë e zezë e qan e mallkon fatin.
Si iku ai kështu në errësirë?
O dhimbje që godet pareshtur pamëshirë!
Ku shkoi vallë? S’përgjigjet asnjëri,
Veç zërit tim të trishtuar, një dhimbje, elegji… / KultPlus.com