17 Prill, 2024 - 10:00 am
Ndue Ukaj
Ajo lindi në ditën kur s’duhej.
Qyteti kundërmonte aromë të keqe,
zogjtë kishin ra në qetësi të detyruar
e aroma e luleve ishte mbytë nga duhma e shurrës.
Vetëm zhurma e aeroplanëve dëgjohej
dhe shushurima e korit të kohës,
ku vend zënë politikanë me xhepat plot parulla.
Koha ikën.
Mes nesh kryelartë rri jeta jote
e ëndërruar çdo natë.
E ne të hutuar shikojmë sytë e saj si pikturohen nëpër vite,
ato kujtime të shpërndara si flokët e shprishura në trupin tënd.
Pastaj shtrojmë pyetje të shumta,
pyetje të cilave u mungojnë përgjigjet.
Ditëve kur shfaqen njerëz me shikime të mjegullta
dhe duar të ngritura kah qielli që kërkojnë mëshirë.
Në qytetin e saj ka shumë bërllok.
Ajo e do poezinë, por s’ i lexon përrallat patriotike.
Ajo i pi kafet e zeza, por me një gotë raki.
Ajo e ka fustanin e zi, por mendjen e bardhë si bora.
Oh ç’predikime dëgjon ajo me veshët e bukur,
dhe sytë e stuhisë që i shohin përtej mureve.
Ajo bën plane për të nesërmen,
por fustani i kapet në një gozhdë.
Pastaj qetësisht kërkon fundin e gjërave pa e gjetë rrugën e daljes.
Dhe kështu i shterret fjala
e shtegton nëpër imagjinatë,
e në vetmi kërkon Kullën e Babelit
dhe në një ditë me mjegull të dendur
sheh si tullat i përplasen
nëpër gishtërinjtë e saj të hollë. / KultPlus.com