Vajza shqiptare

18 Dhjetor, 2024 - 10:40 pm

Poezi nga Ali Asllani

Kush të ka dërguar, hëna apo djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa pate ka qjelli?
Nëpër ato pate, madhëri e artë,
Ka të tilla shtate, si të zotris’ sate?

Në je ndonjë ëngjëll, udhën ke lajthitur,
Apo sjell melhemin zemrës së goditur?
Në je ndonjë valë, kush ësht’ ai mall,
Që të ndez e derdhe e utrin’ mbi zall?

Në je ndonjë çupë, do të mbaj mbi sup,
Do të ngjesh në zemër, do të pi me kup’!
Në je ndonjë lule, e ku do keç mbirë,
Si mundet e bënet lulja kaq e mirë?

Në se je sorkadhe, lumthi kush ka çapa,
Lum ai q’i vete zotris’ sate prapa!
Kush të paska rritur, kush të ka selitur?
Trupi i yt i bukur si flori i situr!

Në je ndonjë xhinde, xhinde e arratisur,
Cilin ke vithisur, kujt i je kolisur?
Ku është ai pyll, ku është ai mur
ku ti vete fute dhe qëllon me gur?

II
Kush të ka dërguar, Hëna apo Djelli?
Pa më thuaj, të lutem, sa yje ka qjelli?
Ka të tilla pyje nëpër ata yje?
Ka të tilla xhinde nëpër ata pyje?

Qofshi të ërgjënda, ka të tilla xhinde?
Rrofsh e qofsh, sa malet, zotrote ku linde?
Desha që ta dija ku është ylli yt,
Desha që ta dija ku ësht’ pylli yt!

Në je ndonjë dritëz, dritëz perëndie,
Lum kush të ka afër, kurse nata bie;
Në je ndonjë hije, hije hyjënore,
Kthema zemrën time, zemrën që ma more!

Në je ndonjë erë, një veri në ver’,
Nga se po të digjet trupi ylyver?
Në je ndonjë ëndërr, shum’ të lutem shum’,
Në të dasht’ qejfi të të shoh në gjum’!

Në je xhevahire, nga se ku je dukur?
Nga se xhevahiri rri në kuti futur?
Në je ndonjë flutur, kush të ka qëndisur?
Kush është ajo dorë, që të ka stolisur?

Pa le ta dëgjojmë një herë e dy herë,
fol, moj dallëndyshe, që këndon mbi derë!
Fol moj dallëndyshe, se sa më vjen mirë,
Mos je ndonjë vajzë nga një vend i lirë?

– Un’ jam një arbreshe, rroj këtu në rrëza,
Një gjak e një gjuhë kemi me thëllza;
Pullumb e sorkadhe jemi farë e fis,
Kemi dhe shqiponjën gjyshen e shtëpisë!

Çdo të mira kemi, djelli si ar
Derdhet përmbi neve nga çdo vënd më par’,
Lul’ e vëndit tënë katër stinat çel
Edhe erë e bukur na deh e na vel!

A e more vesh kush më ka qëndisur?
Është dritë e djellit që më ka stolisur,
Është drtië e djellit, është dritë e hënës,
Më shum’ nga të gjithë është sisë e nënës!./ KultPlus.com

Të ngjajshme