16 Maj, 2021 - 9:57 am
Nga Visar Zhiti
Në varrezën e hebrenjve
nuk ka bar të blertë sot,
por flakët e luftës…
Mbishkrimet aramaike mbi rrasat e gurta
dridhen – mornica në lëkurën e ditës.
Digjen shtëpitë e Prishtinës përreth,
bien trarët e nxirë mbi kokat e njerëzve
si mallkimet,
thyhen tjegullat,
bashkë me xhamat copërlohet dhe frika.
Digjet dhe e kaluara
si fotot bardhë e zi
të një albumi të trashëguar, të hedhur në oborr.
Tanket duan të futen në varrezën e hebrenjve,
ta shembin…
Zinxhirët mbi Yllin e Davidit…
por shqiptarët u dalin përpara. Me luftë.
Edhe të vdekur mikun ta mbrojmë…
besën ia japim tjetrit,
por është jona besa…
Mbi trupat tanë le të shkelin më parë!
Shqiptarët e mi dhe në luftën e botës
mbrojtën jetët e hebrenjve,
kur dhe të tyret ishin në rrezik,
tani po mbrojnë varret e hebrenjve –
dhe vetë mund të mos kenë varre,
është lufta e tyre… Ylli, ah, Ylli i Davidit,
që i ka mbledhur cepat,
si yni është, si i mëparshmi, i hershmi,
Illyricum Sacrum e quanin,
bashkojnë ujërat e jetës me zjarret prometeane.
Vazhdon lufta.
Qielli rëndon si mermeri i varreve…
Mbrojeni Qiellin tonë ashtu si ne,
ju, perënditë e reja!…
Besojmë ende tek njeriu. Kthehet ai
dhe nga viset e vdekjes, Shpirt,
që vendos drejtësinë hyjnore…
P.S.:
…në Romë isha, në Ambasadën tonë punoja…
dhe ia treguam ambasadorit të Izraelit
ngjarjen me varrezat e hebrenjve në Prishtinë.
U prek ai, falënderoi dhe…
na dërgoi ca shishe me verë. Dhe
ne i përplasëm gotat me njëri-tjetrin
duke uruar fitoren e Kosovës.
Paqe popujve! Të vdekurit dalin nga varret,
duan të shprehin mirënjohjen,
shpesh më shumë se të gjallët. / KultPlus.com