Varrimet e Naim Frashërit

22 Qershor, 2020 - 11:07 pm

Petrit Ruka

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
çdo herë e më të lehta eshtrat e holla
gjithmonë e më i madh varri.

Gjithmonë e më i vogël arkivoli
a thua se varrosnin një violinë,
Ti fat i Shqipërisë që u ngrite si i marri888
Kur kombi ish me një këmbë në greminë

Gatitu para eshtrave të tua një Mbret,
Jakomoni me stemat e arta fashiste,
Në rresht e gjitha me grushtin përpjetë
Byroja e ngjeshur komuniste.

Të gjithë kërkonin nga ty pak lavdi
Po ti atë me kohë e kishe dhënë,
Kur Shqipëria firasej si hëna nën mjegull
Ti thirre i pari: Zgjohu, moj Nënë!

Dhe ashtu si Krishti që ngriti Llazarin
Ti Atdheun e zgjove nga hashashi osman,
i vetën kaq gjë mund ta bënte veç Zoti
dhe ti grimca e tij, fati ynë naimian.

Nën furrën e ballit sa gjysmë e Tomorit
shqipen e shkrive dhe e derdhe si ar,
një nga një me ujin e lumenjve të kulluar
na pagëzove e na dhe emrin shqip-ë-tar

Pesë herë ra në zi për ty Shqipëria
Nga që për Naimin nuk ngopej së qari,
Të gjashtin e te fundit sa shumë do ta desha
Në Frashër,…si Meka e çdo udhëtari…

Zbathur, në këmbë unë rrugën do ta bëja,
mbi sup si violinë t’i mbaja ato eshtra,
I dehur nga besimi se aty nëpër shekuj
Shqipëria do të derdhet nëpër mijëra rreshta…/KultPlus.com

Vendi i parë në Festivalin mbarëkombëtar të poezisë, “FLAKADANI I KUJTESËS, ediicioni i tretë.

Të ngjajshme