21 Mars, 2021 - 11:15 pm
Poezi nga Bajram Mjeku
Ti duhet të vdesësh patjetër të lindësh përsëri
Një ditë kur çelin lulet me vajin tënd të parë
Besimi yt i vetëm të heshtësh në këtë botë
Kallje truri katarsë shpirti të mos përjetosh
Megjithatë, ti duhet ta jetosh jetën nga fillimi
Qetë shumë qetë urtaku im qetë dhe pa e vrarë
Miqtë tuaj; kitara, dhoma e errët, librat, vetmia
Përditë të gërryejnë si shtratin e lumit të fryrë
Merr guxim udhëto një ditë drejt detit Marmara
Atje ku fle dashuria jote e parë dashuria e mbramë
Po ti nuk ke guxim as hapin e parë ta qesësh
Ke frikë se fryhet deti e barka nuk të mban
A e ndjenë derisa vështron me shqisa nëpër kohë
Se optimizmi yt paskësh qenë sall rrenë
Që e trillojnë bukur poetët e mëdhenjë në botë
Derisa në skenë i sheh aktorët e përgjumur
Si nuk pranon shpirtërisht, botërisht s’pranon
Mashtrimin e tjetërkujt, mbretërinë tënde të humbur
Alfabetin mësoje nga fillimi këngën thure vet
Kohës nuk i dihet e fati mund të lind
Një ditë me shi kur papritur shkrepë drita diellore
Ti duhet të vdesësh patjetër, ti duhet të vdesësh
Bota është e vogël për dashurinë tënde të madhe./ KultPlus.com